Ligji për zgjedhjet, ‘përplasen’ deputetet Haxhiu dhe Izmaku
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku dhe ajo e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu janë përplasur gjatë ditës së sotme në Komisionin për Legjislacion.
Arsyeja e gjithë kësaj ishte ndryshimi i Ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme.
Deputetja Izmaku ka kërkuar që Komisioni për Legjislacion të mos e shqyrtojë këtë pikë, pasi sipas saj komisionit në fjalë po i humb kredibiliteti.
Ajo madje i është drejtuar koleges Haxhiu se po sillet me arrogancë dhe se e ka marrë më shumë zemër këtë çështje.
Ndërkohë, deputetja Haxhiu ka reaguar, duke thënë se nuk i jep llogari deputetes Izmaku.
Dje në Kuvendin e Kosovës është krijuar një komision “ad-hoc” për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, ka thënë se ky ndryshim është për t’ua lehtësuar diasporës mënyrën e votimit, i cili sipas tij, duhet të bëhet në ambasadat apo konsullatat e Kosovës ku ata më afër jetojnë. /Kosovapress/