Ligji që “trimëron” raportuesit e korrupsionit
Çdokush që dëshiron të raportojë për ndonjë vepër të dyshuar korruptive në institucionin ku punon, privat ose publik, do të jetë i mbrojtur nga Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve që Kuvendi i Kosovës tashmë e ka kaluar në lexim të parë.
Sipas shoqërisë civile dhe monitoruesve ndërkombëtarë, ky ligj konsiderohet si një nga më të avancuarit në shumë vende të Evropës.
Për një çështje të tillë, disa nga organizatat joqeveritare në Kosovë, vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin dhe kanë kërkuar nga autoritetet kompetente mbrojtjen me ligj të këtyre personave, që raportojnë korrupsionin.
Sipas shoqërisë civile, zbatimi i këtij ligji në Kosovë pritet të inkurajojë më shumë punonjësit që të raportojnë korrupsionin ose aktivitetet e tjera kriminale në institucionet që ata punojnë, pasi ndalë frikësimin e tyre nga ndëshkimet e punëdhënësit.
Jeton Zulfaj, nga Lëvizja Fol, e konsideron domosdoshmëri miratimin dhe zbatimin e këtij ligji.
“Tash mbetet që të bëhen kampanja informuese për punëtorët në vendin e punës, që të informohen ata që janë vërtetë të mbrojtur kur dëshirojnë të raportojnë shkeljet korruptive. Dhe askush nuk mundet të hakmerret ndaj tyre, qoftë me vendin e punës. Sepse edhe nëse ka kërcënime, le të themi edhe me jetë, ligji më pastaj personin e trajton me Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka thënë Zulfaj.
Edhe Florent Spahija, zyrtar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ligji mbron sinjalizuesin, por edhe garanton të drejtat e tyre pas sinjalizimit.
“Tashmë me ligjin e ri, kur të hynë në fuqi, personat do të kenë një hierarki më të cilën do të mund të shohin se ku mund të raportohet rasti i tyre, çfarë mund të raportojnë, si mund të raportohet, dhe a kanë mundësinë që nëse institucioni nuk ndërmerr veprime, atëherë lejohet raportimi edhe në agjenci tjera. E nëse edhe agjencia tjetër nuk i merr, ata do të jenë të mbrojtur ligjërisht edhe nëse dalin publikisht”, ka thënë Spahija.
Sipas këtij ligji, sinjalizuesi gëzon të drejtën e mbrojtjes së identitetit të tij gjatë procesit të sinjalizimit, ruajtjen e fshehtësisë së burimit të informacionit të sinjalizuar. Kjo mbrojtje parashihet gjatë dhe pas periudhës së sinjalizimit dhe madje edhe pas përfundimit të marrëdhënies së punës me punëdhënësin.
Po ashtu sinjalizuesi, në bazë të ligjit, mbrohet nga çdo veprim i dëmshëm i marrë ndaj tij nga punëdhënësi, duke përfshirë këtu shkarkimin nga puna, pezullimin nga puna ose të një ose më shumë detyrave, transferimin brenda ose jashtë institucionit publik ose subjektit privat pa pëlqimin e tij, uljen në pozitë dhe zvogëlimin e pagesës.
Por, një fat të tillë nuk e ka pasur Murat Mehmeti, udhëheqës i Njësisë së Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës, i cili vite më parë kishte raportuar për krim të organizuar në këtë institucion në vlera milionëshe.
Për këtë raportim ai ishte përballur me ndërrim të vendit të punës, presione, kërcënime, por megjithatë pas ankesave të shumta në institucionet kompetente është kthyer në vendin e tij të punës.
Mehmeti shpreson se më zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve,edhe punonjësit tjerë do të kenë guxim që të raportojnë korrupsionin.
“Po jam dënuar, njëherë jam transferuar, pasi nuk kanë pasur arsye të më largojnë nga vendi i punës. Unë kam raportuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. E di që dosja është në Prokurori. Unë nuk jam fajtor. Unë i besoj ligjit të ri dhe besoj se do zbatohet”, ka thënë Mehmeti për “Radion Evropa e Lirë”.
Por, në rast se institucioni përgjegjës nuk mbron sinjalizuesin nga ndonjë veprim i dëmshëm, Gjykata kompetente shqipton gjobë, e cila nuk mund të jetë më pak se 500 euro dhe jo më shumë se 20 000 mijë euro për institucionin përgjegjës publik ose subjektin privat.
Gjobat e parapara në këtë projektligj mund të dyfishohen në rastet e shkeljeve të rënda apo të përsëritura.