Ligjvënësi republikan, Chris Stewart jep dorëheqje

01 qershor 2023 | 14:57

Ligjvënësi amerikan, Chris Stewart, ka njoftuar të mërkurën planet për të dhënë dorëheqjen nga mandati i tij i anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i Jutës për shkak të sëmundjes së bashkëshortes së tij, duke shkaktuar mbajtjen e zgjedhje speciale për ta zëvendësuar atë në një rajon të dominuar nga republikanët.

“Mund të them me krenari se kam qenë një udhëheqës efektiv për shtetin tim të dashur dhe jam i nderuar që kam luajtur një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit tonë nëpër disa kohë të trazuara”, është thënë në një deklaratë të ligjvënësit Stewart.

Republikani me gjashtë mandate në Utah nuk ka ofruar detaje në lidhje me sëmundjen e bashkëshortes së tij dhe mbi kohën se kur do të largohet nga detyra, por në deklaratën e tij thuhet se ai planifikon të tërhiqet “pasi të sigurohet një tranzicion i rregullt”.

Sipas ligjit të Jutës, guvernatori Spencer Cox, ka shtatë ditë për të njoftuar një plan për zëvendësimin e ligjvënësit Stewart përmes organizimit të zgjedhjeve speciale.

Ndonëse dorëheqja e Stewart do të zvogëlonte përkohësisht shumicën tashmë të lehtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo nuk pritet të ndikojë në aftësinë e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy për të udhëhequr grupin e ligjvënësve republikanë.

Zona që përfaqëson ligjvënësi republikan dominohet nga republikanët dhe ai kishte shënuar fitore të thellë ndaj një rivali demokrat, duke marrë 30 për qind më shumë vota se sa kundërshtari i tij në vitin 2022. /VOA

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Harry Kane dhe e ardhmja e tij mbeten një temë…