Ligjvënësit e BE-së i hapin rrugë ratifikimit të marrëveshjes me Britaninë

28 prill 2021 | 11:41

Parlamenti Evropian (BE) ka votuar me shumicë votash në favor të marrëveshjes tregtare me Bashkimin Evropian, pas Brexitit.

Ky hap ka hequr të gjitha pengesat drejt ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian kanë përkrahur marrëveshjen për tregti dhe bashkëpunim me 660 vota për, pesë kundër dhe 32 abstenime, ka njoftuar të premten parlamenti.

Votimi ka ndodhur të martën, mirëpo kufizimet e vëna me qëllim të luftimit të pandemisë, kanë ndikuar që rezultatet të mos dihen menjëherë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka mirëpritur miratimin e marrëveshjes, duke thënë se zbatimi i saj është tejet i rëndësishëm.

“Marrëveshja për Tregti dhe Bashkëpunim shënon themelimin e një partneriteti të fuqishëm dhe të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar. Zbatimi në mënyrë besnike është thelbësor”, ka thënë von der Leyen përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka thënë se Britania e Madhe mbetet “partnere dhe mike e rëndësishme” e Bashkimit Evropian.

“Unë mirëpres rezultatet e votimit të Parlamentit Evropian për marrëveshjen tregtare dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Britanisë. Ky vendim shënon një hap të madh në marrëdhëniet tona dhe hap një epokë të re”, ka thënë Michel në llogarinë e vet në “Twitter”.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi do të qëndrojë në Barcelonë edhe pas këtij…