Ligjvënësit e BE-së bëjnë thirrje për bojkotim të Kupës së Botës
Dhjetëra anëtarë të Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër ku u bëhet thirrje qeverive të shteteve anëtare të BE-së që të bojkotojnë turneun e Kupës së Botës, që mbahet këtë verë në Rusi, duke dhënë si argument “talljen” e presidentit rus, Vladimir Putin me vlerat evropiane.
Deri më tani, 46 ligjvënës kanë nënshkruar letrën, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë.
Në letër, që pritet t’u dërgohet qeverive të 28 anëtarëve të BE-së më 18 prill, thuhet se helmimi i ish-spiunit rus në Britani muajin e kaluar, “ishte thjesht kapitulli i fundit i talljes së Vladimir Putinit me vlerat evropiane”.
Britania e fajëson Rusinë se ka tentuar ta vrasë Sergei Skripalin dhe vajzën e tij Yulia, me një agjent nervor, një akuzë të cilën Moska e hedh poshtë.
Në këtë letër po ashtu, ligjnëvësit kanë listuar një sërë veprimesh që ia kanë atribuuar Rusisë si,“bombardimet ndaj shkollave, spitaleve dhe zonave të banuara me civilë në Siri; pushtimi i dhunshëm ushtarak në Ukrainë; sulmet sistematike kibernetike; fushatat dezinformuese; ndërhyrjet në zgjedhje; përpjekjet për destabilizimin e shoqërive tona dhe qëllimit për dobësimin dhe ndarjen e BE”.
“Të gjitha këto nuk janë gjëra që e bëjnë një nikoqir të mirë të Kupës së Botës”, thuhet tutje në këtë letër.
Qeveria britanike dhe ajo irlandeze tashmë kanë njoftuar se përfaqësuesit qeveritarë të tyre nuk do të marrin pjesë në turneun e futbollit që do të nisë më 14 qershor.