Likaj thotë se janë shpërndarë rreth gjysmë milioni maska në të gjitha shkollat
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka bërë me dije se që nga nesër do të fillojë procesi mësimor, duke theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura.
Likaj gjatë një konference për medie, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, kryetari i SBASHK-ut dhe drejtori i IKSHPK-së, ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Likaj ka thënë se vendimi për hapjen e shkollave ka qenë më i vështiri në karrierën e tij.
“Të gjithë pjesëmarrësin në shkollë janë të obliguar të bartin maska, MASH-ti ka shpërndarë rreth gjysmë milioni maska në të gjitha shkollat në territorin e Kosovës. Në rast nevoje është paraparë angazhimi me normë plotësuese i rreth 1,000 mësimdhënësve për nëntë muaj, 300 mësimdhënës në gjendje të renduar shëndetësore do të jenë jashtë procesit dhe do të jenë të mbuluar financiarisht, 100 punëtorë teknik, etj”, ka thënë Likaj.
Likaj ka thënë se ora e parë e mësimit do t’i kushtohet pandemisë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë me dije se ka kërkuar që të ketë bashkëpunim ndërmjet prindërve-nxënësve dhe mësimdhënësve që të menaxhohet më lehtë situata me pandeminë.
Zemaj ka bërë thirrje që të mbahen maskat dhe higjiena personale.
Ai ka se vetëdijesimi i qytetarëve ka ndikuar që të bie numri i të infektuarve.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se institucionet arsimore janë të gatshme, për fillim të vitit të ri shkollor.
Ai ka thënë se kanë caktuar kolegë nga sindikata për të përcjellë edhe situatën në shkolla.
Jasharaj ka thënë se janë kundër që mësimdhënësit të bëjnë matjen e temperaturave.
Ndërkaq drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, e ka vlerësuar të kënaqshme këtë situatë, pasi sipas, tij ka ardhur dita që të hapen shkollat në vend.
“Duhet të shprehi një situatë të kënaqshme pasi që kemi arritur në këtë ditë, por megjithatë të bëjmë një hap përpara drejt stabilizimit të situatës. Çdo rast që paraqitet nga task forcat në komuna do merret menjëherë në shqyrtim”, ka thënë Ramadani.
(F.D / Epoka e re)