Lillardi kërkon titullin kampion në NBA
Imazhet e fundit nga sezoni i kaluar shfaqin Damian Lillard të dalë me kokulur pas humbjes 4-0 në serinë e raundit të parë të “play-off”-it kundër New Orleans Pelicansit.
Një dështim i vështirë për t’u përtypur, duke marrë parasysh edhe sezonin e mirë që Portland zhvilloi. Këtë e pranon edhe vetë Lillardi.
“Ishte një humbje e rëndë, sidomos për mua, si lider i skuadrës. Kur humb, është gjithmonë faji yt, e në atë rast më duhet të pranoj se ishte e vërtetë. Nuk i kam harruar ende ato ndeshje, e nuk kam ndërmend t’i harroj. Por, nuk do të dorëzohem, pasi këto përvoja të forcojnë më shumë”, ka thënë Lillard.
“Kur isha në gjimnaz shënoja 35-40 pikë përpara trajnerëve më të mirë të kolegjeve si Roy Williams apo Mike Kryzewski dhe nuk më rekrutonte askush. E njëjta gjë edhe në kolegj, pasi thoshin se nuk kisha kundërshtarë të nivelit të duhur, sepse luaja në Lehigh. Edhe në NBA ishte kështu. Ëndrra ime është të fitoj NBA dhe të jem MVP i ligës”, ka shtuar ylli i Portlandit.