Limaj: 2 Korriku shënon kthesën e madhe për liri
Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj ka kujtuar 2 Korrikun e vitit 1990 kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1990, sipas Limajt, shënon kthesën e madhe në përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi.
“28 vjet më parë delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, në shtetrrethim nga forca të mëdha policore e ushtarake serbe, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.
Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1990 shënon kthesën e madhe në përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.
2 Korriku i vitit 1990 mbetet ndër datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës, e cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut dhe ngjarjeve tjera të mëdha të cilat çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Ne sot kujtojmë më respekt veprën dhe sakrificën e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës të cilët në rrethana të jashtëzakonshme legjitimuan vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri e pavarësi”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/