Limaj apel mësimdhënëseve: Mos hiqni dorë nga edukimi i nxënësve për atdheun
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në përurimin e Shkollës Fillore në fshatin Llozicë të Komunës së Malishevës.
Me këtë rast, Limaj ka apeluar arsimtarët që të mos heqin dorë nga edukimi i fëmijëve për atdheun, sepse, sipas tij, kjo është e vetmja garancë që këta djem e vajza të ndihen krenar për vendin, siç thotë Limaj i kanë mësuar arsimtarët ata se si duhet vendi.
“Kjo shkollë me emrin e identiteti e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të na shërbeje me devotshmëri që nxënësit tanë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në shtigje të reja të atdhedashurisë. Shkolla e Llozicës ka qenë vend ku është mësuar atdhe dashuria, edukata e respekti për njëri tjetrin”, ka theksuar Limaj.
Limaj ka thënë se nga tani e tutje fëmijët në këtë shkollë do të mësojnë në ambiente dinjitozë dhe arsimtarët do të kenë kushte optimale për t’i mësuar fëmijët.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se përurimi i një shkollë të re është shumë i rëndësishëm për komunitetin.
Ai ka uruar banorët e kësaj anë për shkollën e re. Bytyqi ka përgëzuar komunën e Malishevës, e cila, sipas tij, me kohë ka vendosur arsimin prioritetin kryesorë.
Bytyqi ka thënë se tani në këtë fshat po krijohet një ambient i mirë për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Kryetari i komunës Ragip Begaj ka thënë se është i kënaqur me përurimin e kësaj shkolle. Begaj ka thënë se arsimi mbetet prioritet i qeverisjes komunale në Malishevë. Kjo shkollë ka thënë se do t’i shërbeje shumë gjeneratave për edukim dhe arsimim.
Ai ka kërkuar nga nxënësit ta ruajnë shkollën.