Limaj: Askush nuk mund ta kërcënojë kryeministrin e Kosovës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, ka komentuar zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë.
Ai ka thënë se deportimi i shtetasve turk shpërfaqë më së miri defektet serioze të segmenteve të caktuara të vendit.
Limaj në një tubim partiak në Prizren ka theksuar se Nisma në Kuvend dhe në Qeveri do të angazhohet në këtë drejtim dhe do t’i shkojë kësaj çështje deri në fund.
Zëvendëskryeministri Limaj ka komentuar edhe deklaratën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ai ka thënë se askush nuk mund të kërcënojë Kosovën, përveç qytetarëve të saj.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe detyre është ta mbrojmë atdheun. Ne respektojmë dhe nderojmë miqësinë që kanë shfaqur vendimet mike. Ne jemi të përkushtuar ta ruajmë këtë miqësi, por kjo nuk nënkupton se ne do të jemi vazal të një shteti në Kosovë. Porosia ime është që askush dhe asgjë nuk mund ta kërcënoj kryeministrin e Kosovës, përveç popullit. Asnjë shtet dhe asnjë lider nuk mund të na drejtoj kush duhet të qeverisë në Kosovë”, ka thënë Limaj.