Limaj: Bota e qytetëruar t’i mbështes përpjekjet e Kosovës për t’i zbardhur masakrat e kryera nga serbët në Kosovë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar pas miratimit në Kuvend të rezolutës për Gjenocidin e kryer serb në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999.
Limaj ka thënë se përkundër që Kosova është vonuar në këtë proces, megjithatë thotë se krimi asnjëherë nuk vjetërsohet.
Ai i ka bërë thirrje vendeve perëndimore të mos e tolerojnë Serbinë t’i mohoj krimet e kryera në Kosovë.
Kryetari i Nismës ka thënë se pret që përpjekjet e Kosovës të mbështeten nga bota e qytetëruar për t’i zbardhur masakrat, si parakusht për të ecur përpara.
Postimi i plotë i Limajt:
Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate dhe në bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare, sapo ka votuar rezolutën për Gjenocidin e kryer serb në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999.
Kosova përfundimisht po i kthehet vetes dhe po kërkon drejtësi për krimet e kryera nga ana e aparatit shtetëror serb. Edhe pse jemi vonuar në këtë proces, megjithatë krimi asnjëherë nuk vjetërsohet.
U bëj thirrje vendeve perëndimore të mos e tolerojnë Serbinë t’i mohojë krimet e kryera, siç po bëjnë drejtuesit e Serbisë, duke i mohuar krimet dhe masakrat makabre mbi popullatën civile shqiptare.
Presim që përpjekjet tona të mbështeten nga bota e qytetëruar për t’i zbardhur masakrat, si parakusht për të ecur përpara.