Limaj: Deklarimet për korrigjim të kufijve, të papranueshme

03 gusht 2018 | 18:06

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se deklarimet për korrigjim të kufijve nga bartësit e institucioneve janë të papranueshme.

“Kemi obligim të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe deklarimet për korrigjim të kufijve nga bartësit e institucioneve janë të papranueshme”, ka thënë Limaj në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.

Ai ka theksuar se në Kosovë, kurrë nuk do të ketë Republika Serbe dhe diçka e tillë, pasi sipas tij kjo do ta rrënonte e shkatërronte Kosovën.

Duke folur rreth temës së dialogut Kosovë-Serbi, Limaj i ka bërë thirrje opozitës që të jetë pjesë e këtij procesi.

Ndërsa në pyetjen nëse është i mendimit që opozitës do të duhej t’i jepet një rol prijës në dialog?, Limaj ka dhënë këtë përgjigje:

“Ajo që mua më intereson është që të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Nuk mund që dikush të qëndrojë duke vëzhguar dhe të bëjë me gisht, e dikush të marrë përgjegjësi sepse tema nuk është e brendshme, tema që do të vendosë njëherë e përgjithmonë të ardhmen dhe fatin e këtij vendi”.

“Prandaj, e rëndësishme është që të gjithë të jemi të përfshirë dhe pastaj duhet të bëhet grupi. Kushdo që do të udhëheqë nga ne, pse jo të mos e ketë rolin prijës njëri nga grupet parlamentare ose nga drejtuesit e grupeve parlamentare. Këto çështje të gjitha duhet hapur, duhet diskutuar dhe të diskutohet për të gjitha variantet ose mënyrat se si i shikojnë grupet politike. Siç thash, kemi prodhuar lloj-lloj dokumentesh”.

“Të ulemi, t’i shikojmë ato dokumente, të gjejmë zgjidhjen ose formulën që na bashkon të gjithëve. Pra, ne jemi vonë, realisht por, do të thosha se kemi ende kohë për ta bërë. E rëndësishme është se nuk guxojmë të nxitojmë dhe të futemi në një dialog pa u përgatitur, e të përçarë. Kjo nuk guxon të ndodhë në Kosovë. Duhet të kemi gjithë kohën e nevojshme për të ndërtuar e bashkuar gjithë spektrin politik të këtij vendi, që reflekton shumicën e qytetarëve të Kosovës. Atëherë, ne futemi me një siguri shumë më të madhe, të përgatitur për të marrë përgjegjësi. Jemi duke folur për një temë jashtëzakonisht serioze”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MRKS), Kujtim Gashi, dhe…