Limaj: Demokracia në rrezik, Kosova po qeveriset nga partia shtet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova është futur në një rrugë më shumë të panjohura.
Ai ka thënë se sot Kosova është duke u qeverisur nga partia shtet. Kjo, sipas tij, nuk ka ndodhur asnjëherë që vendi të qeveriset nga parti e vetme.
“Shpejt do ta shihni, është si shkumë sapuni. Do ta shihni këtë kohë se sa shpejt kjo që sot është modë do t’i irritoj njerëzit. Sot, Kosova është duke u qeverisur nga partia shtet. Asnjëherë vendi nuk është drejtuar nga një parti e vetme. Tendencat për të kapur gjithçka, shpejt do të tregoj rreziqet ku do të jetë demokracia kosovare. Shenjat janë dhënë në këto dy tri ditët e fundit. Asnjëherë nuk ka ndodhë që partia në pushtet të ndryshoj ligjin zgjedhor krye në vete. Ligj zgjedhor ndryshohet me konsensus dhe me kryesimin e opozitës, sepse kjo nuk është çështje numri e votash. Njerëzit autoritar punën e parë që e bëjnë janë ndërhyrja të ligji zgjedhor për t’ia përshtatur vetes rregullat e lojës dhe kjo ka ndodhur në sistemet ku ka mendësi autokrate”, ka thënë ndër të tjera Limaj në Kuvendin Zgjedhor të degës së Nismës në Malishevë.
I pari i Nismës ka thënë se, Kosova ka nevojë për këtë frymë politike me adresë racionale e më përmbajtje të jetë e bashkuar në betejat që na vijnë, duke shtuar se nuk duhet ndikuar nga disponimet momentale.
Lideri i Nismës është shprehur i sigurt se nga ky kuvend do të dalë ekipa fituese e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.
“Ky kuvend mbahet në një moment të veçantë për vendin dhe partinë. Jemi të vetëdijshëm për angazhimin që duhet ta kemi dhe që duhet dalë nga ky kuvend. Shpreh nderimin tim për gjithë ata burra e gra të cilët në mes dy kuvendeve kanë ndërruar jetë. Organeve që dalin nga ky Kuvend iu dëshiroj shumë suksese dhe ne duhet ta ndërtojmë ekipin fitues të zgjedhjeve lokale. Unë ju ftoj që së bashku të vazhdojmë angazhimet e përbashkëta për t’i kaluar me sukses sfidat e radhës”, ka shtuar Limaj.
Pas fjalës së Limajt, Kuvendi ka vazhduar me punimet me zgjedhjen e strukturave të reja ku janë zgjedhur organet e reja të degës.