Limaj dhe Shala përurojnë asfaltimin e Zonës Ekonomike në Suharekë
Zëvendëskryeministri në detyrë Fatmir Limaj dhe ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala kanë përuruar asfaltimin e Zonës Ekonomike në Suharekë.
Me këtë rast, Limaj ka thënë se ky është shembulli më i mirë se si ndihmohen bizneset private.
Sipas tij, kjo zonë po kthehet në boshtin e punësimit jo vetëm të Suharekës, por të gjithë regjionit.
“Tashmë kemi një park ekonomik me një infrastrukturë të duhur, duke përfshirë këtu edhe energjinë elektrike dhe mbi të gjitha është lidhja e rrugës me autostradën, në mënyrë që kompanitë të mos kenë nevojë fare të futën nëpër qytet, por mund të lidhen direkt me autostradën. Ky është shembulli më i mirë se si ndihmohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kjo është politika jonë që ne vijmë e shtrimë dorën e shtetit, i kryejmë detyrat tona para njerëzve të cilët kanë iniciativën private si parakusht për të hapur vende të reja të punës”, ka thënë Limaj.
Ai ka shtuar se ky është veprimi për të cilin ka nevojë Kosova. “Ne nuk do ndalemi. Do shkojmë çdo qytet në Kosovë për të ndërtuar parqe të tilla që bizneset të mos kenë më nevojë të shpenzojnë paratë e veta për përmirësimin e infrastrukturës të cilat mund ti kryej shteti, por të fokusohen direkt në rritjen e prodhimit dhe fuqizimit të bizneseve të tyre. Ndihem shumë i kënaqur që MTI dhe ministri Shala e ka përmbushur atë premtim që kemi dhënë bashkë, por edhe gjithë kolegët tjerë që vazhdimisht janë angazhuar në funksion të implementimit të këtij projekti”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj.
Ndërsa, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se në këtë zonë janë të vendosur mbi 70 biznese dhe se janë investuar mbi 2.6 milionë euro.
“Kjo zonë ekonomike nga tash është funksionale me gjithë infrastrukturën qe i nevojitet bizneseve qe ta kenë më të lehtë për biznes. Jemi në një zonë ekonomike e cila është 160 hektar ku janë të vendosura mbi 70 biznese dhe me një investim mbi 2.6 milionë euro nga Ministria e Tregtisë”, është shprehur Shala.