Limaj: Kosova nuk zhvillohet me fjalë, por me veprime konkrete

13 shtator 2019 | 16:29

Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova nuk zhvillohet me fjalë, por me veprime konkrete të cilat janë parakusht për zhvillimin e bizneseve.

Sipas tij, shembull i atyre që veprojnë është ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala.

Këto komente Limaj i ka bërë me rastin e vizitës në Parkun e Biznesit në Budrikë të Vitisë, ku në shoqërinë e ministrit Shala kanë inspektuar nga afër punimet që janë duke u bërë në këtë zonë.

Kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma -AKR-PD, ka thënë se krijimi i kushteve të mira për bizneset është shembulli më i mirë se çfarë rruge duhet ndjekur për të ndihmuar bizneset dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Krijimi i zonave ekonomike, krijimi i kushteve më të mira të njerëzve tanë punëtorë, bizneseve tona, është shembulli më i mirë se çfarë rruge duhet ndjekur nëse duam t’i ndihmojmë biznesit, të hapim vende të reja të punës, të krijojmë kushte për banorët e zonës dhe komunat përkatëse. Kjo zonë ekonomike do të ketë impakt të madh ekonomik për Vitinë. Përveç që i shton buxhetin komunës së Vitisë, shton mundësinë e punësimit të dhjetëra e qindra njerëzve të këtij regjioni. Po ashtu, i jep një impuls zhvillimit ekonomik të zonës së Vitisë dhe të Gjilanit”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se kohë më parë, bizneset me vetiniciativë kanë rregulluar infrastrukturën, ndërsa tash ministri Shala me punën e tij është duke iu ofruar bizneseve gjithë atë që kanë nevojë.

Ndërsa ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se kjo është zona e tretë ekonomike në të cilën janë duke investuar si ministri. Shala ka bërë me dije se investimet në këtë zonë ekonomike kapin vlerën prej 1.8 milion euro.

“Ishim për t’i parë punimet që janë duke u zhvilluar në zonën ekonomike të Vitisë, investim ky afër 1.8 milionë euro, i realizuar nga MTI. Dhe, gjithë kjo siç e tha edhe kryetari Limaj, me qëllim që të krijojmë parakushte sa më të mira të të bërit biznes në Kosovë. Kjo është zona e tretë ekonomike në të cilën MTI është duke investuar dhe janë duke punuar. Shumë shpejt fillojmë edhe me zonën ekonomike në Malishevë, zonë kjo e cila bashkë me komunitetin tonë të diasporës do të jetë në dispozicion edhe të bizneseve tona të diasporës”, ka thënë Shala.

/Epoka e Re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë kërkesën…