Limaj dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë flasin për zhvillimet aktuale në vend
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zhvilluar sot një takim virtual me shefin e Zyrës së BE-së, njëherësh përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë, zhvillimet me Gjykatën Speciale, liberalizimin e vizave për qytetarët tanë dhe dialogun Kosovë-Serbi dhe situatën me pandeminë Covid-19.
Kryetari Limaj gjatë këtij takimi virtual ritheksoi çështjen se, integrimet evropiane janë̈ përcaktimi dhe orientimi ynë si shtet dhe se zvarritja e procesit të liberalizimit të vizave është shumë i panevojshëm dhe si rrjedhojë po krijon edhe pakënaqësi të qytetarëve tanë.
Po ashtu, kryetari Limaj tha se, pres që BE-ja sa më parë të jetësoj këtë proces në mënyrë që të rinjtë tanë të lëvizin të lirë nëpër vendet evropiane.
Ndërsa, lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, kryetari Limaj tha se nevojitet një agjendë e qartë dhe me afat caktuar, në mënyrë që të arrihet deri te marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke mes dy vendeve.
Në anën tjetër, gjatë këtij takimi virtual, Szunyog, shprehi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në funksion të jetësimit të agjendës së integrimit evropian, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për të tejkaluar sfidat që ka sjellë pandemia Covid-19.