Limaj: Dialogu ishte i dështuar dhe shumë i dëmshëm
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka theksuar se janë duke biseduar me partitë opozitare, për të ardhur deri te objektivi, që në dialogun me Serbinë të jenë të gjithë të përfshirë.
I pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë për ‘KosovaPress’ se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka obligim kushtetues për të krijuar delegacion dhe për të kërkuar nga Parlamenti për ta votuar, po këtë e kanë kërkuar për faktin që jenë të përfshirë të gjithë.
Limaj i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr delegacionin e Kosovës për bisedime me Serbinë, ka thënë se dialogu shtatëvjeçar ka qenë plotësisht i dështuar.
“Unë besoj që jo vetëm që ka dështuar por ka qenë shumë i dëmshëm në shumë fusha dhe prandaj duhet një rishikim komplet të kësaj çështjeje, një pozicionim të Kosovës, delegacioni shtetëror duhet të ketë një objektivë dhe platformë të qartë se çka duhet të bisedohet dhe paraprakisht duhet të dijë se pse po futet në dialog. Gabimi më i madh është ai që ka ndodhur, jemi futur në dialog pa e ditur cakun dhe ne si një delegacion shtetëror kudo që do të shkojmë, unë nuk do të kisha pranuar të futem në dialog pa e ditur epilogun e dialogut. Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, anëtarësimi i saj në BE, tjetër çfarë kuptimi ka si dialog”, ka thënë Limaj.