Limaj: Do ta kujtojmë përherë mbështetjen e madhe për liri të Kinkelit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe gjithë popullit gjerman për vdekjen e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Klaus Kinkel.
Ai ka vlerësuar se diplomatin gjerman qytetarët e Kosovës do ta kujtojnë përherë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë kauzës sonë për liri dhe pavarësi.
“I dhimbshëm lajmi për vdekjen e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Klaus Kinkel. Vdekja e diplomatit të shquar gjerman është humbje jo vetëm për shtetin gjerman, por edhe më gjerë. Kinkel do të mbahet mend për angazhimin e tij si ministër i Jashtëm gjerman në ndaljen e luftërave në ish-Jugosllavi. Qytetarët e Kosovës do ta kujtojnë atë përherë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë kauzës sonë për liri dhe pavarësi. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë popullit gjerman!”, ka shkruar Limaj në profilin e tij në “Facebook”