Limaj do të kërkojë dëmshpërblim edhe për rastin “MTPT”-së
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, pritet të kërkojë dëmshpërblim edhe për rastin “MTPT”-së, për të cilin është shpallur i pafajshëm javën e kaluar.
Avokati i tij, Tahir Rrecaj, ka paralajmëruar se kjo do të ndodh pasi që aktgjykimi për lirimin nga gjitha pikat e aktakuzës të bëhet i plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit. Avokati Rrecaj ka deklaruar për “Arbresh.info” se ende nuk është vendosur nëse do të bëhet padi e re për dëmshpërblim në këtë rast, apo do të zgjerohet padia ekzistuese që është bërë për rastin “Kleçka”, e cila ka tre muaj që është dorëzuar në gjykatë për kompensim. “Duhet të presim, sepse ky është një vendim vetëm i shkallës së parë, Prokuroria e ka të drejtën e ankimimit, nëse ankohet duhet për ta pritur vendimin e Gjykatës së Apelit, nëse nuk ankohet brenda 15 ditëve, aktgjykimi bëhet i formës së prerë dhe mund ta bëjmë një padi të re, ose ta zgjerojmë padinë ekzistuese”, është shprehur Rrecaj.
Sipas tij, më e arsyeshme është që të zgjerohet kërkesa e padisë për kompensimin, sesa të bëhet një padi. Rrecaj ka treguar edhe arsyet se pse do të bëhet një gjë e tillë. “Limaj nuk e ka përmendur ende këtë padi, por sigurisht që do të kërkojmë, pasi duhet të disiplinohen dhe vetëdijesohen prokuroritë dhe gjykatat që mos të ngritin aktakuza pa asnjë provë, siç ka qenë rasti i MTPT-së, por edhe gjykata që e ka autoritetin që në fazat e hershme të vlerësoj se nuk ka prova”, ka thënë Rrecaj, duke shtuar se për të vendosur shifrën e dëmshpërblimit që do të kërkohet si kompensim, mbrojtja do të angazhojë ekspertë të cilët do ta vlerësojnë se sa është dëmi moral që i është bërë Fatmir Limajt për këto tetë vjet me këtë rast.