Limaj: Drejtësia, arsimi dhe shëndetësia do të pësojnë reforma të thella në qeverisjen time
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në debatin e organizuar nga Kongresi Kombëtar i të Rinjve.
Në këtë debat, Limaj ka thënë se sistemi i drejtësisë, ai i arsimit dhe shëndetësisë do të hasin në reforma të thella në qeverisjen e ardhshme të drejtuar nga ai.
Ai ka potencuar rëndësinë që vendi duhet t’i nënshtrohet një reforme të thellë duke iu përshtatur kërkesave dhe nevojave që ka si shtet.
Po ashtu Limaj ka theksuar rëndësinë që të rinjtë, të cilët nuk kanë mundësi të kryejnë fakultete, t’u drejtohen Shkollave të Aftësimit Profesional dhe të aftësohen për tregun e punës.
“Nën qeverisjen time, do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ta mbajmë rininë në Kosovë, duke u ofruar asaj kushte sa më të mira për shkollim, përgatitje profesionale dhe punësim. Nisma Socialdemokrate ka dëshmuar këto vite se është parti që u jep hapësirë të rinjve në pozicione vendimmarrëse”, ka thënë Limaj.
/Epoka e re/