Limaj e Shala mbështesin kompanitë e Kosovës në panairin e mobilierisë dhe enterierit në Gjermani
Për të tretën herë me radhë kompanitë nga Kosova po marrin pjesë në Panairin ndërkombëtar të Mobilierisë dhe Enterierit “IMM”, që po mbahet në Këln të Gjermanisë, nga data 14-20 janar.
Në mbështetje të kompanive të Kosovës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i ka vizituar produktet e kompanive kosovare të ekspozuara në këtë panair, i cili është njëri nga panairet më të mëdhenj ndërkombëtar të mobilierisë dhe të interierit.
Në njoftimin për media të MTI-së thuhet se duke e pasur parasysh përkrahjen e prodhuesve vendorë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të cilën e drejton ministri Endri Shala, sektorin e drurit e ka vendosur në top prioritet, që me eksportin e deritanishëm e meriton një vlerësim maksimal, edhe për kundër kostos së lartë ka bërë të mundur pjesëmarrjen e bizneseve kosovare në këtë panairi me interes shumë të lartë për sipërmarrësit.
“MTI/KIESA për realizimin e këtij panairi, ku kompanitë kosovare paraqiten në hapësira me madhësi mbi 500 m2, ka ndarë buxhet në vlerë prej 77 mijë e 187 eurosh (buxhet ky i cili ka qenë i mbetur tek UNDP dhe njëherësh edhe nga UNDP është bërë pagesa e kësaj vlere direkt tek organizatori i IMM), ndërsa pjesa tjetër e mbetur është mbuluar nga USAID, GIZ, SIDA dhe nga vetë kompanitë kosovare. Kompanitë kosovare, të cilat po marrin pjesë në ketë panair janë: “ELNOR”, “ALBED”, “GRANITI” dhe “VENTIUS” (Comodita prodhues i dyshekëve), të cilat po i prezantojnë produktet e tyre, si: kuzhina, dhoma të fjetjes, divane, tryeza, karrige, dyshekë dhe elemente të ndryshme të enterierit”, është bërë me dije në njoftimin e MTI-së.
Më tej në këtë njoftim theksohet se MTI dhe KIESA përmes formave institucionale janë duke i stimuluar kompanitë prodhuese për pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare për të promovuar prodhimet kosovare dhe njëkohësisht për të krijuar mundësi për rritje të eksportit dhe në veçanti për ngritjet të imazhit të Kosovës përmes paraqitjes së mirë prezantuese dhe ekspozimit të prodhimeve cilësore.
“Duke e ditur së tregu i Evropës është një treg atraktiv për prodhuesit kosovarë si nga aspekti i afërsisë ashtu edhe nga aspekti i shkëmbimit të përvojave dhe për këtë arsye ky sektor është vendosur në planin e punës së MTI-së/KIESA-s për organizimin e pjesëmarrjes edhe në panairin IMM 2019 dhe në MOË 2019. Përvoja e deritashme e pjesëmarrjes në këto panair ka treguar se sektori i drurit është në rritje të vazhdueshme dhe se prodhimet nga ky sektor janë duke krijuar tregje të reja dhe të sigurta për eksport në drejtim të Evropës. Bazuar nga të dhënat e vitit të kaluar nga SHPDK, pritet që të ketë eksport në vlerë prej 900 mijë eurosh në vitin 2019, si rezultat i ekspozimit të produkteve kosovare në këtë panair. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, e udhëhequr nga ministri Endrit Shala, do të jenë vazhdimisht të përkushtuar për t’i mbështetur dhe për t’i promovuar bizneset vendore”, është theksuar në njoftimin e MTI-së.
/Epoka e re/