Limaj: Edhe këtë radhë Jakup Krasniqi do të di ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur më 24 korrik.
Pas këtij lajmi ka reaguar lideri i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër Fatmir Limaj.
Limaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së.
“Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë. Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk kemi alternativë, pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës! Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë perballë shpifjeve”, ka shkruar Limaj.