Limaj: Është koha e fundit që kryerësit e masakrës së Dubravës të dalin para drejtësisë
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka përkujtuar 20-vjetorin e masakrës së Dubravës në të cilën janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur mbi 200 të tjerë.
Limaj ka kërkuar që kryerësit e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.
“Para dy dekadave ushtria dhe policia serbe kryen një nga krimet më monstruoze mbi të burgosurit në Burgun e Dubravës. 20 vjet më parë, në Burgun e Dubravës u vranë mbi 160 të burgosur dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Kryerësit e këtij krimi të tmerrshëm kanë emër dhe mbiemër dhe janë të njohur për të gjithë. Pavarësisht kësaj, për këtë krim askush nuk është hetuar dhe rrjedhimisht as dënuar.
Është koha e fundit kur institucionet e drejtësisë duhet të reagojnë dhe kriminelët ta marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/