Limaj: Familjet pa asnjë anëtarë të punësuar do të kenë përparësi në punësim gjatë vitit të ardhshëm
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Më këtë rast, Limaj, deklaroi se qëllimi i këtij memorandumi është bashkërendimi i aktiviteteve të ministrive ku në epiqendër është punësimi i njerëzve, e sidomos atyre familjeve të cilat nuk e kanë asnjë anëtarë të punësuar.
Me këtë memorandum, Limaj tha se synohet edhe bashkërendimi i politikave të përbashkëta të agjencive anekënd Kosovës për t’i arritur objektivat e përbashkëta që i ka vendosur Qeveria e Kosovës.
“Sot në vendin tonë ka njerëz që kanë shumë nevojë për punë. Po ashtu në vendin tonë ka shumë biznese që kanë nevojë për punëtorë, dhe paradoksi është që kemi shumë të papunë dhe ndërmarrje që nuk kanë fuqi punëtore për të kryer aktivitetet. Ky fenomen duhet të marrë fund. Sot ekonomia e tregut kërkon fuqi punëtore profesionale, e cila është e gatshme të futet në linjë të prodhimit dhe ta rritë produktivitetin në ndërmarrjet e tyre. Është koha që agjencitë përkatëse t’i bashkërendojnë politikat”, deklaroi Limaj.
Më tej ai ka thënë se prioritet është përgatitja dhe aftësimi profesional i fuqisë punëtore në Kosovë. “Nëse të gjithë së bashku fokusohemi mirë dhe i kryejmë detyrat tona, jam i bindur që në tregun e Kosovës do të ketë fuqi punëtore të profesionalizuar dhe që i përmbush nevojat e kërkesat e prodhuesve vendorë. Janë me mijëra familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe ne duam ta ndërlidhim ndërmarrjen tonë me agjencinë e punësimit dhe t’i lidhim ndërmarrësit tanë me shkollat tona profesionale dhe kjo garanton apo siguron mundësi tjetër për punësim edhe zhvillim ekonomik të vendit. Koha është të ndryshohet gjendja”, ka shtuar Limaj.
Për vitin e ardhshëm, Limaj ka paralajmëruar se do të ketë investime të fuqishme direkte, qoftë vendore dhe të huaja, duke shtuar se do t’u jepet përparësi në punësim familjeve që nuk e kanë asnjë anëtarë të punësuar, duke i respektuar kërkesat e tregut.
Në memorandumin e nënshkruar ndërmjet tri ministrive, ndër të tjera thuhet se MASHT ka vendosur arsimimin profesional në krye të prioriteteve arsimore, rrjedhimisht zotohet për gatishmërinë dhe angazhimin për avancimin e arsimit profesional, përgatitjen e kurrikulave të reja për profile të cilat krijojnë vende të reja pune, në bazë të nevojave dhe interesimeve të biznesit dhe mbështet partneritetin e shkollave profesionale dhe kompanive.