Limaj: Festa filloi në Malishevë për fitoren e madhe të Nismës më 6 tetor
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të shtunën ka mbajtur takim me të rinjtë e Malishevës.
“Emocion i veçantë tubimi me të rinjtë e mrekullueshëm të vendlindjes, Malishevës, të cilët kishin vendosur që zgjedhjet e 6 tetorit t’i kthejnë në festë duke ia sjellë një fitore të madhe Nismës Socialdemokrate bashkë me partnerët”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook” pas takimit.
Ai ka theksuar se rinia e Nismës në Malishevë e ka marrë flamurin e fitores për zgjedhjet e 6 tetorit, pasi sipas tij, këtu valon vetëm fryma e Nismës Socialdemokrate.
“Të rinjtë në këtë komunë ishin bërë Bashkë për Shtetin dhe ishin ngritur në këmbë për t’i mbështetur kandidatët tanë për deputetë nga kjo komunë. Kandidatët tanë për deputetë e meritojnë angazhimin dhe besimin e juaj këto ditë, në mënyrë që t’i japim një fitore të madhe Nismës në Malishevë dhe në gjithë Kosovën”, ka thënë Limaj.
Ai ka shtuar se qytetarët e Malishevës do ta vulosin fitoren e madhe të Nismës në zgjedhjet e 6 tetorit.
/Epoka e re/