
Limaj fton të rinjtë që të bashkohen për fuqizimin e shtetit të Kosovës
Nisma Socialdemokrate ka mbajtur të shtunën punimet e Kuvendit të dytë të Rinisë, ku ka zgjedhur këshillin dhe kryetarin e të rinjve të partisë.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj kërkoi nga rinia që fuqizimin e shtetit të Kosovës ta kenë ëndërr të përbashkët, drejt së cilës të punojnë pa u dorëzuar. Besimin e partisë për të udhëhequr me të rinjtë e mori Xhemajl Hazizi.
Në punimet e Kuvendit Zgjedhor të Rinisë së Nismës Socialdemokrate, kreu i partisë, Fatmir Limaj tha se nuk duhet dorëzuar para çfarëdo errësire që mund t’iu paraqitet.
Ai u tha të rinjve që Kosovën mos ta vlerësojnë mbi bazën e politikave dhe problemeve ditore, por në orientime strategjike.
Limaj tha se Nisma do të jetë platforma e asaj që do të drejtojë Republikën e Kosovës.
E kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi para të rinjve foli për kohët e vështira kur janë organizuar tubime politike.
Ai u tha atyre që sot nuk janë në rrezik nëse angazhohen në politikë.
E Xhemajl Hazizi, i cili mori sot postin e kryetarit te të rinjve të partisë, tha se përgjegjësia e sapo marrë do të shndërrohet në një angazhim maksimal në punë.
Hazizi do të vazhdojë me postin e kryetarit të të rinjve të cilin deri sot e ka mbajtur Albert Maxhuni.
Në punimet e Kuvendit te të rinjve të Nismës Socialdemokrate, u tha se rinia është e ardhmja e vendit, dhe se vetëm të rinjtë e kanë mundësinë të bëjnë ndryshime në të mirë të vendit.
Aty u tha se politikat e Nismës në qeveri dëshmojnë se motoja ‘Ne mbajmë fjalën’ është filozofi politike në të cilën bazohen dhe veprojnë çdo ditë.