Limaj: Hajrullah Mazreku ishte shembulli i personalitetit të kohës dhe veprimit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar në njëvjetorin e vdekjes bashkëluftëtarin dhe zyrtarin partiak, Hajrullah Mazreku.
“Sot, u bën një vit nga vdekja e mikut tim, njëherësh bashkëpunëtorit e bashkëluftëtarit në UÇK, ish zyrtarit tonë të Nismës, Hajrullah Mazreku, që i takon gjeneratës që ndryshoi epokën, për Kosovën dhe popullin shqiptar. Ai kishte gjithherë gatishmërinë për sakrificë dhe ëndrrën për çlirimin dhe lirinë e Pavarësinë e Kosovës, që edhe e bëri realitet, bashkë me shokët luftëtarë”, ka thënë Limaj.
Lideri i Nismës ka thënë se Hajrullahu ishte shembulli i personalitetit të kohës dhe veprimit. “Idealet e tij ishin dhe do të vazhdojnë të na frymëzojnë edhe për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Limaj, i cili ka marrë pjesë edhe në akademinë përkujtimore në kujtim të Hajrullah Mazrekut.
Ndëkaq në varrezat e qytetit në Malishevë është zbuluar edhe pllaka e varrit për ish veteranin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hajrullah Mazrekun.