Limaj i kërkon Shqipërisë rishikimin e tarifës për taksën rrugore

12 tetor 2018 | 18:34

Një delegacion i Qeverisë së Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një vizitë zyrtarë në Tiranë.

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës, janë pritur nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.

Në këtë takim është diskutuar për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare që do të mbahet muajin e ardhshëm në Pejë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Limaj ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të rishikojë edhe një herë çështjen e çmimit të taksës rrugore sepse, sipas tij, është e papranueshme vendosja e kësaj tarife kaq të lartë për qytetarët dhe për bizneset.

Po ashtu Limaj ka kërkuar edhe heqjen e skanerit për kontrollin që iu bëhet bizneseve kosovare që kalojnë nëpër Shqipëri, e që iu shkakton kosto shtesë bizneseve.

“Jemi të shqetësuar me vendosjen e çmimit të taksës rrugore në Rrugën e Kombit. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë pritur mirë vendosjen e kësaj tarife dhe ne bashkërisht duhet ta gjejmë një zgjidhje dhe ta tejkalojmë. Po ashtu duhet t’i heqim barrierat që po pengojnë bizneset tona, siç është çështja e skanerit”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Fotografia e NISMA Socialdemokrate

Në këtë mbledhje po ashtu përfaqësuesit e dy qeverive janë dakorduar për një sërë marrëveshjesh që do të nënshkruhen në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive.

Kësisoj, në mbledhjen që do të mbahen në Pejë gjasat janë që të nënshkruhet marrëveshja, e cila i mundëson Kosovës një portë hyre në portin e Durrësit. Po ashtu, marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve andej e këndej kufirit, marrëveshja për njohjen reciproke të patentshoferëve, marrëveshja për heqjen e romingut pastaj marrëveshja për heqjen e barrierave jotarifore si dhe të krijohet një grup punues i përbërë nga dy qeveritë i cili do të diskutonte për çështjen e tarifës rrugore dhe skanerit.

Limaj po ashtu ka kërkuar nga qeveria shqiptarë themelimin e një zyrë në Prizren për zhdoganimin e prodhimeve me origjine nga Kosova dhe Shqipëria.

Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në këtë mbledhje përveç Limajt ishin edhe zëvendëskryeministri, Dardan Gashi, ministrat Bejtush Gashi e Endrit Shala, zëvendësministrat; Fatmir Gashi e Rexhep Kadriu si dhe drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Etrit Berisha u aktivizua për 90 minuta gjatë miqësores me…