Limaj: I thashë Sheshelit pse s’erdhe në Berishë, aty të kam pritë
Fatmir Limaj ka treguar një bisedë me Vojslav Sheshelin derisa po mbahej gjyqi në Hagë. Ish-komandanti i UÇK’së ka treguar se i kishte thënë Sheshelit se e kishte pritur në Berishë, atje ku gjatë luftës serbi thoshte se do të shkonte për kafe.
“E kemi diskutuar çështjen e kafes së Berishës”, nis rrëfimin Limaj në Pressing.
“Ju kujtohet kafja e Berishës, Shesheli thoshte se kam me shku me pi kafe në bjeshkët e Berishës, kështu ma kishte çuar porosinë në luftë”, tregon Çeliku, siç njihej në luftë Limaj.
“Ka qenë në një miting në Pejë. Atëherë zhvilloheshin luftime në bjeshkët e Berishës. Ishte e bllokuar rruga e Grykës së Llapushnikut dhe në tubimin e Pejës Shesheli ka pas paralajmëruar se “unë do të shkoj me pi kafe në malet e Berishës”. Me një fjalë, do ta shkatërroj UÇK’në”, thekson Limaj.
“I thash atje, i thash pse s’erdhe”, tregoi Limaj.
“I thash të kam prit në Berishë. Më tha “a kujtove aq budallë jam unë me ardh në Berishë. Unë e di që keni pasur pritë dhe më kishi vra”. I thash “po më mirë, s’kishe ardhur në Hagë, as ti e as ne””, rrëfeu Limaj bisedën me Sheshelin.