Limaj: Jam i nderuar që po vendosim gurthemelin e një shkollë që mban emrin e dëshmorëve
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Heset Sahiti, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe zëvendësministri, Sami Hajdaraj kanë vendosur gurthemelimin për ndërtimin e një shkollë të re në fshatin Vraniq të komunës së Suharekës.
Më këtë rast, Limaj ka thënë se sot është një moment festiv për këtë fshat, duke uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e këtij fshati për fillimin e punimeve për shkollën e re.
Limaj ka thënë se fshati, Vraniq ka një histori të jashtëzakonshme, një fshat i cili i ka dhënë shumë Kosovës në të gjitha drejtimet, si në aspektin intelektual ashtu edhe në atë patriotik.
Më tutje, numri dy i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se ndjehet i nderuar që sot po vendos gurthemelin e një shkollë, e cila mban emrin e dëshmorëve, duke përkujtuar kështu lavdinë ndër gjenerata të kësaj ane.
“MAShT-i vjen me një investim të fuqishëm këtu, investim mbi një milion euro në këtë shkollë dhe kjo tregon që Vrasniqi përfundimisht do ta ketë një shkollë siç e meriton ky fshat. Pas ndërtimit të kësaj shkolle, fëmijët do të kenë kushte dhe standarde për mësim siç e meritojnë. Jam shumë i kënaqur që po ia kthejmë një respekt këtij fshati, e di që jemi vonuar, por ne kur e kemi pasur rastin e kemi bërë. Shkolla e Vraniqit do të jetë një nga shkollat më të mira në Kosovë”, ka shtuar Limaj.
Po ashtu sot, zëvendëskryeministri Limaj, do të vendos gurthemelin e një tjetër shkolle në fshatin Doberdolan të komunës së Suharekës.
/Epoka e re/