Limaj: Ka ardhur koha që Nisma të qeverisë me Kosovën
Zhvillimi i bujqësisë, paketa sociale, sigurimet shëndetësore, reformat në drejtësi vazhdimi i fuqizimit të prodhimeve vendore, diaspora janë pesë prioritetet në qeverisjen e koalicionit Nisma-AKR-PD.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Fatmir Limaj, në takimin që ka pasur me strukturat e partisë së tij në Ferizaj, ka thënë se është koha që Nisma të marrë drejtimin e shtetit të Kosovës.
“Bujqësia do të jetë prioriteti kryesor i angazhimit tonë në qeveri nën udhëheqjen time. Ne besojmë se investimi i fuqishëm në bujqësi, ndryshimi i mënyrës së atyre granteve dhe subvencioneve, zonimi i Kosovës në bujqësi do ta hap një perspektivë krejt tjetër për buxhetin komunal dhe buxhetin qendror. Kosova si një vend agrar ka potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar për ta rikthyer në një vend, ku mund të bëhet eksportuesi më i madh i prodhimeve bujqësore, nga ku do të hapeshin vende të reja të punës. Prioriteti ynë i dytë do të jetë paketa sociale, Nisma tani më është zëdhënëse e njerëzve që kanë nevojë. Nisma është kthyer në shpresën dhe zërin e qindra njerëzve që nuk kanë zë dhe nuk flet për ta”, ka thënë ai.
Limaj teksa ka folur për reformën në drejtësi, ka pohuar se askush sikur ai nuk e di çka do të thotë të përballesh me padrejtësi.
Ai ka thënë se prioritet e kanë edhe diasporën, që sipas tij deri më tash është lënë anash, por kjo sipas tij do të përfundojë me ardhjen e tij në krye të qeverisë së vendit.
Limaj edhe një herë u ka bërë thirrje kandidatëve nga partitë e tjera që të përballen në një debat, ku ai tha se duhet ta dinë qytetarët se kë do ta votojnë.
Limaj ka thënë se i respekton të gjithë kandidatët për kryeministër, por vlerësoi se ata nuk janë të gatshëm për ta marrë këtë përgjegjësi.
Lideri i Nismës në Ferizaj ka theksuar se është koha që ai me Nismën të udhëheqë Kosovën.
Ai ka thënë se nëse të gjitha kandidatët përballen në një debat është i bindur se ai do të fitojë.
Limaj ka bërë me dije se ka refuzuar postin e kryeministrit disa herë pasi që nuk e kishte ndjerë vetën të gatshme, por që tash ai tha se është i gatshëm për ta drejtuar vendin.
Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi, kka thënë se është koha që Fatmir Limaj të jetë kryeministër i Kosovës.
“Nuk kemi kohë të humbim, kjo qeveri do të jetë qeveri e vendimeve jashtëzakonisht të rëndësishme. Prandaj, na nevojiten njerëz të vendosur, jo njerëz që e lajnë në gjysmë punën të cilën ua ke ngarkuar, jo njerëz që e marrin një parti të madhe dhe e bëjnë të vogël dhe jo njerëz që nuk janë provuar kurrë. Pra, le t’ia japim besimin njeriut që është provuar, që ka themeluar një parti dhe çdo ditë po e rrit, kështu do të vazhdojmë ta forcojmë Kosovën”, ka thënë Sherifi.
Kryetari i degës së Nismës në Ferizaj, Besnik Berisha, ka theksuar e në këtë qytet vota për Fatmir Limajn është trefishuar.
Kandidatët për deputet të koalicionit Nisma-AKR-PD nga Ferizaj janë Besnik Berisha, Ali Halimi, Bajram Tahiri dhe Agnesa Hajredini.
/Epoka e re/