Limaj: Kanë mbetur edhe 6 mijë familje që nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar
Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj ka treguar disa nga prioritetet e tij për fushatën e këtyre zgjedhjeve.
Limaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në bazë të dhënave nga Ministria e Punës sot në Kosovë ka rreth 6 mijë familje që nuk kanë ndonjë anëtarë të punësuar e që janë të aftë për punë.
Kryetari i NISMA-s thotë se ministria që kjo parti ka udhëhequr ka trajnuar rreth 27 mijë persona ndërsa sipas tij një pjesë e madhe e tyre janë punësuar, përcjell Telegrafi.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD thotë se premtimi i tij i parë është që çdo familje do të ketë një person të punësuar.
Limaj thotë se Kosova është i vetmi vend që ka lejuar eksportimin e drurit jashtë vendit. Sipas tij asnjë vend në botë nuk lejon eksportimin e drurit si lëndë e parë.
“Druri ynë ka shkuar në Serbi dhe pas përpunimit atje na është shitur neve shumëfish më tepër. Ne e kemi ndalur këtë praktikë dhe e kemi ringjallur industrinë e përpunimit të drurit që ka qenë në prag të falimentimit”.
Limaj ka thënë se prioritet e tij në të ardhmen do të jetë bujqësia.