Limaj kërkon nga BE-ja ta mbajë fjalën rreth liberalizimit të vizave
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka pritur të enjten në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së, njëheresh përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të cilit i ka dëshiruar suksese në misionin e tij.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas njoftimi për medie të Nismës, Limaj ka deklaruar se integrimet evropiane janë përcaktimi dhe orientimi ynë si vend.
Ai ka ngritur çështjen e zvarritjes së liberalizimit të vizave, duke shprehur pakënaqësinë me vonesën e panevojshme në këtë proces.
Po ashtu, Limaj ka thënë se pret nga BE-ja që ta mbajë fjalën dhe t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që të rinjtë të lëvizin lirshëm në kryeqendrat evropiane.