Limaj kërkon konsensus politik për vendime të mëdha
Lideri i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se ratifikimi i demarkacionit është dëshmia më e mirë se me një dialog konstruktiv dhe intensiv në temat nacionale mund të arrijmë të krijojmë konsensus.
Limaj përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se pas më shumë se tetë vjetësh kemi arritur ta kthejmë traditën e mirë që për tema nacionale të ndërtojmë konsensus sa më të gjerë.
“Kalimi i demarkacionit është dëshmia më e mirë se me një dialog konstruktiv dhe intensiv në temat nacionale mund të arrijmë të krijojmë konsensus. Gjithmonë është në përgjegjësi të shumicës për tema nacionale në vendime ta përfshijë edhe opozitën”, ka shkruar Limaj.
“Sa herë është provuar që temat nacionale të personalizohen, kanë krijuar kriza, tensione, përçarje dhe vendimet kanë qenë të kontestuara dhe jo në interes të vendit. Prandaj le të na shërbejë ky moment që ta mbajmë dialogun, transparencën dhe komunikimin mes gjithë faktorëve politikë për temat nacionale dhe së bashku t’i ndërtojmë qëndrimet dhe të jemi të gatshëm të marrim vendime të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Limaj.