Limaj: Koha për normalitet, që 4 vjet vendi mori trauma, stagnim dhe asnjë njohje
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se zgjedhjet e reja do të jenë një mundësi e rikapitulimit të premtimeve të qeverisë Kurti dhe llogaridhënie e veprimeve të saj. Sipas Limajt, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i kthehet normalitetit.
Ai ka thënë se tash e katër vjet vendi ka stagnuar në të gjitha fushat, duke shtuar se në drejtimin e Albin Kurtit Kosova nuk ka marrë asnjë njohje.
“Shpallja e datës zgjedhore është datë e rëndësishme. Ne bashkë si shoqëri angazhimin e kemi për ta ruajtur demokracinë. Është një moment i mirë, të bëhet një rikapitullim i të gjithë veprimeve të tyre. Të bëhet një rikapitullim i të gjithë atyre premtimeve që kanë ardhur në pushtet. Të bëhet një llogaridhënie e të gjitha veprimeve të tyre. Me katër vjet qeverisje, cilët janë sektorët që janë zhvilluar? Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i kthehet normalitetit. Tash e katër vjet kemi pasur trauma, frikë si shoqëri. Tash e katër vjet vendi ka stagnuar në të gjitha fushat. Për katër vjet Kosova nuk mori asnjë njohje. Kanë prishur imazhin tonë të ndërtuar me vështirësi në arenën ndërkombëtare. Kosova është kthyer në delen e zezë në rajon pa asnjë arsye. S’kanë marrë asnjë investim serioz direkt. Kosova i ka pasur mundësitë e veta, por nuk janë shfrytëzuar. Ky vend është i pasigurt dhe kjo qeveri nuk ka krijuar kushte. Ka pasiguri juridike. Kemi eksperimentuar mjaft me fatin e shtetit tonë. Që katër vjet është eksperimentuar. Është koha ta ndalim këtë. Është koha për llogaridhënie dhe për mundësi të re”, ka thënë Limaj, duke shtuar se në vend që Kosova të ishte drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, ajo ballafaqohet me sanksione.
“Këta kanë qenë njerëz të suksesshëm në mbylljen e dyerve të vendit tonë”, ka thënë Limaj.