Limaj: Kosova është rreshtuar krah ShBA-ve në luftën kundër terrorizmit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka përkujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në kullat binjake në ShBA, ku kanë humbur jetën një numër i madh i qytetarëve nga e gjitha bota, duke thënë se qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë me familjet të cilat humbën më të dashurit e tyre.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dëshmojnë gjithnjë se janë mbrojtëse të përkushtuar të barazisë në botë.
Limaj ka thënë se Kosova është rreshtuar krah ShBA-ve dhe botës demokratike në luftën kundër terrorizmit.
“Sot bëhen 17 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Nga ky akt i tmerrshëm dhe terrorist humbi jetën një numër i madh i qytetarëve të pafajshëm nga e mbarë bota. Qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë me familjet të cilat humbën më të dashurit e tyre. Gjatë historisë dhe të sotmes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar gjithnjë frymë demokratike dhe liri të shprehjes, mendimit dhe të të jetuarit për të gjithë popujt e botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dëshmojnë gjithnjë se janë mbrojtëse e përkushtuar e barazisë në botë. Kosova është rreshtuar krah ShBA-ve dhe botës demokratike në luftën kundër terrorizmit”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/