Limaj: Kosova ishte me fat që për lirinë dhe shtetësinë e saj luftuan burra si Ismet Jashari
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në përurimin e shtatores së heroit Ismet Jashari-Kumanova me rastin e shënimit të 21-vjetorit të rënies se tij.
Ai ka thënë se Kosova ishte me fat që për lirinë dhe shtetësinë e saj luftuan burra si Ismet Jashari.
“U mblodhëm sot sërish në Kleçkë për ta kujtuar atdhetarin dhe trimin Ismet Jashari-Kumanova, bashkë me shumë të tjerë që ja falën jetën lirisë së shenjtë dhe historisë sonë i dhanë madhështi e lavdi. Ismet Jashari nuk duroi një jetë tjetër për popullin e tij, përveç jetës në liri. Prandaj, erdhi nga Kumanova dhe u bë një nga prijësit më të guximshëm të luftës në Kosovë, deri më 25 gusht 1998 kur ra në betejë, siç bijën heronjtë. Është fat që e njoha trimin dhe luftën e bëmë bashkë! E Kosova ishte me fat që për lirinë dhe shtetësinë e saj luftuan burra si Ismet Jashari dhe shumë të tjerë që morën armët dhe ia kthyen armikut, që e donte me çdo kusht Kosovën tonë”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka treguar se komandant Kumanova erdhi e u bë frymëzim për djemtë e burrat e asaj kohe që të marrin armët dhe t’i bashkohen luftës, ndërsa u bë frymëzim për pasardhësit tanë për ta dashur dhe ruajtur lirinë si sytë e ballit!
“Emri i Ismet Jasharit iu dha rrugëve, shkollave, iu dha Kosovës së lirë! Dhe, ne sot, zbuluam edhe bustin e tij te shkolla ‘Ismet Jashari – Kumanova’, shkollë e përbashkët e dy fshatrave, Javor dhe Luzhnicë. Pas kaq viteve banorët e kësaj zone po i ruajnë shenjat e luftës sonë të lavdishme, shenjat e heronjve tanë, dëshmorëve tanë. Këta banorë në vazhdimësi kërkojnë që të mos shkëputet lidhja me luftën e lavdishme të UÇK-së. Busti është shenjë shtesë e fuqishme për tu treguar gjeneratave që vijnë se sa shumë kjo zonë lidhet me lirinë e Kosovës. U jemi mirënjohës intelektualëve dhe banorëve të këtyre dy fshatrave që në luftë u angazhuan bashkë me ushtarët, por edhe që po i mbajnë të fuqishme lidhjet me të kaluarën tonë të lavdishme”, është shprehur Limaj.
Ai ka thënë se sukseset e Brigadës 121 janë arritur për faktin se kishte rregull dhe gatishmëri për sakrificë.
“Vet rënia e Kumanovës tregon se sa ka qenë e përkushtuar Brigada 121. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ismet Jasharin. Lavdi e përjetshme Komandant Kumanovës dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, ka thënë Limaj.
/Epoka e re/