
Limaj: Kosova ka nevojë për përgjegjësi, pjekuri dhe unitet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për përgjegjësi, pjekuri dhe unitet.
Këtë deklaratë Limaj e ka bërë pas regjistrimit si deputet i Kuvendit të Kosovës së bashku me deputetet Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Krasniqi.
“Kosova ka nevojë për përgjegjësi, pjekuri dhe unitet. NISMA është gati të luajë rolin e saj për të siguruar funksionimin institucional dhe për të shmangur krizën parlamentare. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe vendimmarrje që reflekton interesin nacional dhe dinjitetin qytetar”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Limajt:
Sot, së bashku me deputetet e NISMA Socialdemokrate, nënshkruam për fillimin e një mandati të ri në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Rikthimi i NISMËS në Kuvend është më shumë se një kthim formal, është kthimi i një zëri të munguar, i një vizioni që asnjëherë nuk u shua, dhe i një përkushtimi që ka qëndruar fuqishëm përballë çdo sfide. Kthehemi me ide të freskëta, me gatishmëri për të kontribuar me përgjegjësi dhe me vizion, në shërbim të qytetarëve dhe interesave kombëtare.
Falënderojmë nga zemra të gjithë ata që na besuan, që për një dekadë e kanë përkrahur NISMËN, dhe sidomos ata që, edhe gjatë katër viteve të mungesës sonë në Kuvend, qëndruan me bindje, punuan dhe besuan në këtë ditë.
Kjo është fitorja e secilit prej jush, aktivistëve, strukturave udhëheqëse, votuesve tanë të palëkundur. Bashkë, me pjekuri politike, do të jemi zëri i qytetarëve në Kuvend, zëri i drejtë, i sinqertë dhe gjithmonë në shërbim të së mirës së përbashkët.
Kosova ka nevojë për përgjegjësi, pjekuri dhe unitet. NISMA është gati të luajë rolin e saj për të siguruar funksionimin institucional dhe për të shmangur krizën parlamentare. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe vendimmarrje që reflekton interesin nacional dhe dinjitetin qytetar.