Limaj kujton Abejën dhe dëshmorët e tjetër, vlerëson kontributin që dhanë për lirinë
“Kosova sot nderon dhe përkujton me pietet të lartë heronjtë e kombit Bekim Berisha-Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Permet Vula”, kështu ka shkruar zëvendëskryeministri dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me rastin e 20-vjetorit të rënies së tyre.
Limaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Bekim Berisha-Abeja bashkë me bashkëluftëtarët e tij ranë në altarin e lirisë 20 vite më parë duke i dalë zot vendit.
“Kontributi i jashtëzakonshëm i Bekim Berishës-Abesë për lirinë e Kosovës ishte dhe do të mbetet frymëzim edhe për brezat e ardhshëm. Liria e Kosovës është arritur me mundin, sakrificën dhe gjakun e shumë brezave. Kosova do t’i nderojë dhe do t’u jetë përjetë mirënjohëse të gjithë atyre që e bënë të mundur lirinë e Kosovës”, ka shkruar Limaj.
/Epoka e re/