Limaj: Kurti do të mbahet mend si një politikan që mashtron, gënjen e ndryshon qëndrimet
Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sonte gjatë një konferencë për media.
Ndaj këtij vendimi të Kurtit, ka reaguar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Albin Kurti vazhdon me konferencën e radhës skandaloze, që nga dukja, serioziteti i temës e deri te qëndrimi i kryeministrit.
“Ai do të mbahet mend si një politikan që brenda ditës mashtron, gënjen, ndryshon qëndrimet dhe premtimet me të cilat ua ka marrë votën qytetarëve. Në konferencën e sotme gënjeshtrën e sikletin ai u mundua ta mbulojë me disa parulla as mish as peshk. Kaq për sonte. Për më shumë rreth kësaj teme, në ditët në vijim”, ka shkruar Limaj.