Limaj: Marrëveshja e demarkacionit, mundësi për t’i evituar gabimet
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit ka theksuar se marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi duhet ta shohin si mundësi për t’i evituar lëshimet që mund të jenë bërë nga komisioni i drejtuar nga Murat Meha.
Limaj ka thënë se deklarata e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq hap mundësitë për korrigjimin e demarkacionit me Malin e Zi.
“Kjo marrëveshje është shumë më mirë se sa për të shkuar në arbitrazh”, ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se deputetët duhet të debatojnë se cili duhet të jetë roli i Kuvendit në raport me korrigjimin e demarkacionit. “Mas votimit të këtij ligji është obligim ligjor formimi i komisionit për korrigjimin e demarkacionit”, ka deklaruar Limaj.
Limaj ka thënë se të gjeturat e Komisionit të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi duhet të ballafaqohen me Malin e Zi.
“Me votën tonë do t’i japim vendit një mundësi”, është shprehur Limaj.