Limaj: Më 5, 6 dhe 7 mars në Prekaz u ngritën themelet e shtetit tonë
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar Epokën e UÇK-së në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes se tij dhe Jasharajve.
Ai ka thënë se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz janë ngritur themelet e shtetit të Kosovës.
“Në përkujtim të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 mars në Prekaz, u ngritën themelet e shtetit tonë. Prekazi është vendi ku pavarësia dhe liria kanë marrë jetë dhe do të jetë në obligimin tonë gjithnjë për të qenë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë. Ne me pietet kujtojmë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Flijimi për liri i familjes Jashari është shembulli më unik, i cili na kujton që, ajo që sot e gëzojmë është rezultat i sakrificës së kësaj familjeje”.
“Epopeja e UÇK-së mobilizoi gjithë kombin shqiptar dhe bëri të mundur nisjen e një kthese historike për popullin shqiptar, e cila kulmoi me lirinë e Kosovës. Duke nderuar Epopenë dhe familjen Jashari, nderojmë gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e vendit tonë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të Kombit!”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/