Limaj: Me lehtë është të shkosh në Kinë sesa në Bosnjë e Hercegovinë
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, ka mbajtur sot një takim me përfaqësuesit e bizneseve në Prishtinë, ku u pritë nga kryetari i Odës Ekomomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.
Limaj në këtë takim është interesuar për problemet që kanë bizneset në vendin tonë dhe ka shprehur interesimin e tij për t’u ofruar atyre zgjidhje në veprimtarinë e tyre. “Ne sot jemi këtu për t’ju bashkëngjitur iniciativës së Odës së përbashkët Kosovë-Shqipëri. Qeveria e Republikës së Kosovës sikurse qeveritë e tjera do të vazhdojë të fuqizojë hapa të bashkëpunimit me partneritet me subjektet ekonomike, në këtë rast edhe me OEK-un që është vendi ku mbledh bizneset e Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj.
Ai ka shtuar se krijimi i një ode të përbashkët Kosovë- Shqipëri, është një hap i rëndësishëm për dy shtetet.
Limaj ka theksuar se Kosova me Shqipërinë duhet ta thellojë bashkëpunimin në aspektin ekonomik.
“Ne e dimë se kemi probleme të bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin, pasi kemi pengesa dhe telashe, mirëpo jemi në pritje të përgjigjes nga Qeveria e Tiranës për disa çështje që kemi ngritur, njëra ndër to është edhe çështja e taksës rrugore. Ne mendojmë se kjo taksë është e lartë pasi dëmton biznesin e dyja vendeve, pra pengon thellimin e bashkëpunimit. Kërkesa jonë ka qenë; qeveria shqiptare duhet ta ulë atë taksë sepse është e lartë dhe në këtë mënyrë Kosova të trajtohet ndryshe”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka theksuar se për këtë kanë marrë një zotim nga Qeveria e Shqipërisë se do të dalin me një raport që do t’i përgjigjen shqetësimit të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Limaj ka bërë me dije se janë diskutim me Shqipërinë për zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar më herët. “Bashkëpunimin me Shqipërinë është i mirëpritur, që biznesi ynë këtu të ketë mundësi të bëhet si në Tiranë ashtu edhe i atyre këtu si në Prishtinë. Shpresoj që përfundimisht të dyja vendet do ta thellojmë bashkëpunimin edhe më shumë”, është shprehur Limaj.
Duke folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës mbrojtëse për produktet e importuara nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina dhe reagimit ndërkombëtar për këtë vendim, si dhe rrezikut të shkeljes së marrëveshjes me CEFTA-n, zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s pa ndërprerë.
“Marrëveshja e CEFTA-s është për bashkëpunim, Kosova ka qenë e interesuar të ketë bashkëpunim me gjitha vendet e rajonit. Ftojmë vendet e rajonit të sillen me Kosovën ashtu siç kjo po sillet me ta. Shpresoj se këto veprime të Serbisë dhe Bosnjës të ndalen dhe të kthehemi në normalitet”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj.
Limaj ka thënë se më lehtë është të shkosh në Kinë sesa në Bosnjë e Hercegovinë.
“Më lehtë e siguron një vizë dhe vizitë në Kinë se sa në Bosnje. Andaj ka ardhur koha që mos të heshtim më. Vendimi ndaj mallrave të Serbisë nuk është thjeshtë vetëm çështje tregtare, por është edhe kombëtare. Sepse sigurinë e shtetit e kemi në prioritet. Pra, shpresoj që këto veprime të Serbisë dhe Bosnjës ndaj Kosovës të ndryshojnë, dhe të kthehet normaliteti”, ka thënë Limaj.
Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se pasi zëvendëskryeministri Fatmir Limaj është koordinator për mbledhjen dy qeverive; Kosovë-Shqipëri, e cila do mbahet më 26 nëntor në Pejë duhet të shkohet drejt një iniciativë të re në krijimin e një Ode bilaterale me Shqipërinë.
Rukiqi në këtë takim ka folur edhe për brengat që kanë bizneset në vendin tonë.
/epokaere/a.m