Limaj merr mbështetje nga Britania për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e tanishme në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se pala kosovare në këtë dialog ka hyrë me objektiva të qarta; arritjen e një marrëveshjeje detyruese për njohje reciproke mes dy vendeve.
Limaj ka bërë me dije se ambasadori O’Connell ka ofruar mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Në vazhdën e takimeve me ambasadorë, sot pata kënaqësinë ta prisja në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell. Me ambasadorin O’Connell biseduam për zhvillimet e tanishme në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi. E njoftova ambasadorin për angazhimet tona në kuadër të fillimit të fazës finale të dialogut me Serbinë. Pala kosovare në këtë dialog hyn me objektiva të qarta; arritjen e një marrëveshjeje detyruese për njohje reciproke mes dy vendeve. Ambasadori O’Connell ofroi mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Mirënjohje Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës dhe proceseve nëpër të cilat po kalon vendi!”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/