Limaj merr përkrahjen e mjekëve, sportistëve dhe të rinjve në Malishevë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka zhvilluar një takim me përfaqësues të klubeve sportive, shoqatave kulturore, mjekë dhe të rinjë nga Malisheva.
Limaj është shprehur se ndihet krenarë me të arriturat sidomos të sportistëve nga Malisheva, duke theksuar se të arriturat e tyre i atribuohen infrastrukturës së mirë që ka Malisheva.
Ai ka thënë se ka pasur vullnet nga qeverisja lokale për t’i mbështetur sportistët dhe për të krijuar kushte të merituara për ta.
Shkrimi i plotë i Limajt në Fb:
Me kënaqësi sot zhvillova një bashkëbisedim me klubet sportive dhe shoqatat rinore e kulturore nga komuna e Malishevës, që janë pjesa më reprezentative e Malishevës, të cilët i urova nga zemra për sukseset e mëdha kudo që na kanë përfaqesuar.
Sot, sportistët në Malishevë kanë rezultate më të mira, sepse, Malisheva ka kushte shumë më të mira infrastrukturore në sport, të cilat janë bërë falë vullnetit për të investuar të qeverisë lokale dhe mbështetjes sonë nga qendra.
Malisheva falë kontributit të madh të shumë brezave, falë gjakut të atyre që sot nuk janë mes nesh e që kanë dhënë çdo gjë për këtë vend, kanë bërë qe sot jemi krenarë e jetojmë në një komunë me vlera. Prandaj, është moment jetik që të bëhemi bashkë rreth projektit tonë për mbrojtjen e këtyre vlerave kombëtare.
U jam mirënjohës për gatishmërinë e tyre për të qenë krah nesh dhe vizionit tonë socialdemokrat për zgjedhjet e 14 shkurtit.