Limaj merr pjesë në inaugurimin e “Kalasë së UÇK -së” në Prizren
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë ka marrë pjesë në inaugurimin e kompleksit “Kalaja e UÇK-së”, në Arbëri të Vërrinit në Prizren, ku janë të lartësuara tri shkronjat e historisë sonë të artë “UÇK”, në nderim të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së madhe të popullit shqiptar në luftën për liri.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, ku të pranishëm ishin personalitete të shumta që kanë dhënë shumë për vendin, në një fjalë rasti, kryetari Limaj tha se, në vitin 1998, kur Komandanti Legjendar Adem Jashari e lëshoi kushtrimin anekënd Kosovës, çdo cep i Kosovës iu përgjigj pozitivisht, madje çdo kodër e çdo bjeshkë e vendit tonë u rreshtua pranë sakrificës dhe trimërisë së Komandantit Legjendar.
Simbolika e kësaj kodre është po aq sa në atë kohë, kur në Prekaz krisi pushka, ku në atë moment Serbia e kishte ngritur në këmbë gjithë Kosovën, më ç’rast Ushtria Çlirimtare e Kosovës jehoi kudo, madje edhe në këtë kodër, në të gjitha fushat e malet e kësaj zone.
Gjithashtu, kryetari Limaj gjatë fjalës së tij, tha se, është moment i veçantë, fakti se përurimi i këtij kompleksi, po bëhet sot, pikërisht në Ditën e Çlirimit të Prizrenit, qytetit tonë historik.
Gjithashtu, kryetari Limaj ka shprehur mirënjohje dhe respekt për të gjithë veteranët, iniciatorët, shumë burra e gra të cilët kanë kontribuuar për të lartësuar këto shkronja të arta e të shenjta “UÇK” në Prizren. “Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit, nder dhe respekt gjithë atyre të cilët lartësojnë, nderojnë e vlerësojnë luftën e UÇK-së”, ka thënë në fund Limaj.