Limaj: Në Bruksel i njoftuam se Kosova tashmë ka qëndrim zyrtar për dialogun
Dy bashkëkryesuesit e delegacionit për dialogun me Serbinë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kanë udhëtuar dje për në kryeqendrën evropiane, në Bruksel, me qëllim që ta dorëzojnë Platformën e dialogut e cila javën që shkoi u votua në Kuvendin e Kosovës.
Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialogun Fatmir Limaj në një deklaratë për “KosovaPress” tha se qëllimi i shkuarjes në Bruksel ka qenë që zyrës së shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian Federica Mogherini t’ia dorëzojnë edhe formalisht Platformën për dialogun.
“Ashtu si edhe kemi paralajmëruar, platformën e dialogut e kemi dorëzuar edhe formalisht tek zyra e shefes së BE-së Federica Mogherini. Njëkohësisht qëllimi i takimit me përfaqësues të kësaj zyre është njoftimi me votën e deputetëve për dialogun e po ashtu i kemi njoftuar se Kosova tashmë ka qëndrim zyrtar për dialogun”, ka thënë Limaj.
Limaj ka treguar se i kanë njoftuar përfaqësuesit evropianë edhe për kalimin në Parlament të Ligjit për dialogun dhe po ashtu edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për të çuar përpara këtë proces të rëndësishëm për vendin.
Duke komentuar shkrimet se bashkëkryesuesit kanë shkuar tinëz në Bruksel, Limaj ka thënë se ky është takim i rregullt i delegacionit dhe se nuk ka asgjë për të mbajtur fshehtë pasi që e kanë paralajmëruar se pas votimit platformën dhe qëndrimin zyrtar të Kosovës do ta dërgojnë në Bruksel.
Platforma për dialogun dhe ligji për dialogun ka marrë votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur më 7 mars (të enjten e kaluar).
Sipas platformës për dialogut objektivi i kësaj marrëveshje ёshtё zgjidhja e tё gjitha çështjeve tё hapura, duke u mundësuar të dy shteteve të njohin sovranitetin e njëra-tjetrës dhe hapur rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Në fjalimin e Limajt më 7 mars në Parlament platforma paraqet qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës dhe përcakton parimet, qëllimet dhe pritjet e Republikës sё Kosovës në procesin e dialogut.