Limaj: Në fazën finale do të diskutohet për të zhdukurit dhe dëmshpërblimet e luftës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e tanishme në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Limaj ka bërë me dije se në fazën finale do të diskutohet për çështjen e të zhdukurve dhe dëmshpërblimet e luftës kurse objektiv kryesor është arritja e marrëveshjes përfundimtare.
“E njoftova ambasadorin për përpjekjet tona që po i bëjmë që Kosova të flasë me një zë në këtë dialog. Kosova është gjithmonë për dialog me të gjitha vendet, e posaçërisht me Serbinë, për t’i mbyllur temat e hapura. Në fazën finale presim të diskutojmë për çështjet si; të zhdukurit dhe dëmshpërblimet e luftës, ndërsa si objektiv kryesor është arritja e marrëveshjes përfundimtare e cila për ne nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtarë”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Limaj ka thënë se Austria ka marrë kryesimin e Bashkimit Evropian dhe ambasadori Pfandler ka ofruar mbështetjen e plotë.
“Austria është shtet mik i Kosovës i cili i ka dhënë mbështetje Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit”, ka theksuar Limaj.
/Epoka e re/