Limaj në Gjakovë, Nismës i bashkohen dhjetëra anëtarë të rinj
Nisma Socialdemokrate, dega në Gjakovë, ka shënuar pesëvjetorin e themelimit.
Në shënimin e 5-vjetorit, Nismës në Gjakovë i janë bashkuar mbi 50 qytetarë të rinj të moshave e profesioneve të ndryshme.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, u ka uruar mirëseardhje anëtarëve të rinj si dhe ka uruar strukturat për pesëvjetorin e themelimit të Nismës në Gjakovë.
Ai i ka shprehur mirënjohje të gjithë atyre aktivistëve dhe votuesve të cilët u rreshtuan dhe besuan në këtë filozofi politike në këto pesë vite.
“E di që s’ka qenë e lehtë dhe jeni ballafaquar me sfida të shumta, por në jemi këtu tash pas pesë viteve më të fuqishëm se kurrë dhe atë duke ju falënderuar juve. Angazhimi, përkushtimi juaj zgjeroi këtë frymë politike anekënd komunës së Gjakovës”, ka thënë Limaj të shtunën në këtë qytet.
Limaj tha se Nisma është një parti politike, e cila në vetë përmban pozitivitet, unitet, vendosmëri dhe një subjekt politikë që nuk vrapon pas numrit, por pas ideve.
Më tutje zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se partia të cilën ai e drejton është forca vendimtare në skenën politikë të Kosovës duke numëruar një serë suksesesh dhe iniciativash të iniciuara nga Nisma në Kuvend dhe Qeveri.
Kryetari i degës së Nismës në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka thënë se sot janë mbledhur për të kremtuar pesëvjetorin e Nismës në Gjakovë si dhe për të prezantuar aderimet e reja.
Ai ka thënë se rrugëtimi pesëvjeçar i Nismës është përcjellë me sfida të shumta.
Hoxha ka thënë se Nisma është parti e cila ka shtrirje në gjithë regjionin e Gjakovës dhe ka strukturë të organizuar.
Ai e ka siguruar Limajn se në Gjakovë besimi për Nismën po rritet çdo ditë e më shumë.