Limaj në mbështetje të protestës së OVL-UÇK, fton përkrahësit e Nismës që të dalin masovisht të enjten para Kuvendit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dhënë mbështetje protestës se veteranëve të thirrur për të enjten.
Limaj në një tubim me strukturat e Nismës në Prishtinë ka ftuar përkrahësit e këtij subjekti që të marrin pjesë në protestën e ftuar nga OVL-UÇK në kundërshtim të mospërfshirjës së veteranëve në ngritjen e pagës minimale prej 260 euro.
Në anën tjetër, ky subjekt ka reaguar gjatë ditës përmes një komunikate lidhur me miratimin e projektligjit që përcakton pagën minimale në vend.
Komunikata e plotë e Nismës:
LVV dhe Lista serbe kundër UÇK-së!
NISMA Socialdemokrate reagon ashpër ndaj votimit të projektligjit për pagën minimale në Kosovë, ku nuk janë përfshirë veteranët e luftës së UÇK-së.
Ne konsiderojmë se mospërfshirja e shtresës së veteranëve në këtë projektligj përbën këto shkelje :
1. Diskriminim dhe segregacion, ku një kategori përfiton dhe një tjetër përjashtohet;
2. Shkelë në mënyrë flagrante dhe të turpshme dinjitetin dhe kontributin e luftëtarëve të lirisë, njëkohësisht nuk e njeh UÇK-në dhe luftën e saj si kontributdhënësen më meritore për lirinë e vendit;
3. Ky projektligj është antikushtetues sepse cenon të drejtat e njeriut dhe shkelë parimin e barazisë para ligjit;
4. Diskursi dhe narracioni që kanë lansuar në publik për një kohë të gjatë eksponentët e LVV-së dhe këtij koalicioni qeveritar, sot e shpërfaqën edhe me votën e tyre kundër përfshirjes së UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.
NISMA Socialdemokrate ashtu si deri më tani do të qëndrojë pranë vlerave të luftës dhe do të angazhohet vazhdimisht në ruajtjen e vlerave të UÇK-së dhe dinjitetin e luftëtarëve të saj.